Më 23 janar pritet të zbulohet përmendorja e Isa Boletini në Saraj të Maqedonisë, këtë e bëri të ditur stërnipi i heroit kombëtar Isa Boletini, Gazmend Boletini, raporton Lajm i Shkupit.
Sipas tij, komuna e Mitrovicës do të bëj organizimin e transportit për qytetarët e fshatit Boletin për të marrë pjesë në këtë ngjarje.
“Më 23 janar në Saraj do të zbulohet përmendorja e heroit Isa Boletini. Organizimin për qytetarët e fshatit Boletin e ka organizuar komuna e Mitrovicës”, tha Boletini.
Ai gjithashtu tha se me këtë rast do të mbahet edhe një simpozium shkencor historik nga Instituti i historisë së Tiranës, Shkupit dhe Prishtinës.
“Instituti i historisë së Tiranës, Shkupit dhe Prishtinës kanë botuar librin ‘Isa Boletini’. Me atë rast do të mbahet edhe një simpozium shkencor historik, në Shkup”, tregoi ai.
Sipas disa burimeve më 22 janar në orën 11:00 në komunën e Deçanit, do të mbahet akademia përkujtimore në bashkëpunim me Lidhjen e Historianëve ‘Ali Hadri’.
Kjo akademi, mbahet në 100 vjetorin e vrasjes së heroit Isa Boletinit, ku pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani dhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.
Kryetari i Sarajit, Bekim Murati, ka dhënë sihariqin për vendosjen e shtatores së heroit kombëtar, Isa Boletini, në këtë pjesë të kryeqytetit të Maqedonisë.