Në vazhdim mund ta lexoni pjesën e dytë të relacionit të Stefanaq Pollos e Androkli Kostallarit, i vitit 1973, me propozime konkrete për Komitetin Qendror, për të përfshirë në tekstet e historisë së Shqipërisë zhvillimet historike në Kosovë që nga 1912. Studiuesit parashtrojnë zhvillimet letrare dhe arsyet pse ata mendonin se letërsia e lëvruar në Kosovë duhej përfshirë në Historinë e letërsisë shqipe. Por, u hodh poshtë nga Komiteti Qendror. Urdhri ishte i prerë dhe i qartë: “Të mos futet historia e letërsisë kosovare pas 1913 në historinë e letërsisë shqiptare. Kjo çështje konsiderohet e qartë dhe e mbyllur”, shkruan në një letër shoqëruese të këtij relacioni Behar Shtylla në prill 1973.
Pse refuzoi Enver Hoxha ta fuste më 1973 Kosovën në Historinë e Shqipërisë?
Pjesa e dytë e dokumentit
II. Vitet e fundit, gjatë ripunimit të tekstit të “Historisë së letërsisë shqiptare”, ka dalë problemi i trajtimit të letërsisë kosovare si pjesë e pandarë e letërsisë shqiptare.
Për sa u përket periudhave të mëparshme të historisë së letërsisë shqiptare, problemi është i qartë. Siç dihet, para çlirimit në Kosovë nuk ka pasur lëvizje kombëtare. Për këtë arsye, në vëllimet e tekstet që përfshijnë letërsinë e vjetër, letërsinë e Rilindjes Kombëtare dhe letërsinë e viteve 20-30 të këtij shekulli, nuk bëhet fare fjalë për letërsinë kosovare.
Ndryshe qëndron puna në periudhën e sotme. Pas vitit 1945 në Kosovë e Maqedoni u zhvillua një letërsi e tërë në gjuhën shqipe, e cila përfaqësohet nga një numër i konsiderueshëm letrarësh dhe nga një prodhim i gjerë artistik. Sidomos kohët e fundit jeta letrare është gjallëruar mjaft dhe është shtuar në mënyrë të dukshme numri i botimeve letrare. Shprehja e këtij hovi që vihet re në jetën kulturore-tregtare të Kosovës është edhe dalja e një varg organesh të reja periodike, të cilat përveç problemeve shoqërore e kulturore-politike, trajtojnë edhe probleme të zhvillimit letrar. Në dispensën ekzistuese “Letërsia shqiptare e realizmit socialist” letërsia kosovare nuk trajtohet, nuk njihet edhe sepse dispensa i kushtohet trajtimit të historisë së letërsisë, që lindi dhe u zhvillua në Shqipëri pas vendosjes së pushtetit popullor mbi bazën e metodës artistike të realizmit socialist.
Letërsia shqiptare që po lëvrohet në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi paraqet interes si pasqyrim i jetës së popullsisë shqiptare që banon në Jugosllavi, i problemeve që e shqetësojnë atë në etapën e tanishme. E shkruar në gjuhën shqipe, kjo letërsi është shprehje e përpjekjeve të shqiptarëve të atjeshëm për tëhuajtur individualitetin kombëtar. Kohët e fundit me veprat e letërsisë kosovare ka filluar të njihet edhe lexuesi ynë. Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” dhe organet e shtypit kanë nisur të botojnë romane, përmbledhje tregimesh dhe vëllime poetike nga autorë kosovarë.
Duke u mbështetur në këto të dhëna, që vërtetojnë se letërsia kosovare, megjithëse zhvillohet në Jugosllavi, është pjesë e pandarë e kulturës kombëtare, ne mendojmë që “Historia e letërsisë së sotme shqiptare” të përfshijë si aneks në fund të saj historinë e letërsisë shqiptare që është zhvilluar në Kosovë këto tridhjetë vitet e fundit.
Njohja dhe studimi i historisë së letërsisë kosovare diktohet edhe nga një varg arsyesh të tjera të karakterit politik dhe ideologjik. Veprat e shkrimtarëve kosovarë që janë botuar te ne deri më sot, nuk janë shoqëruar me parathënie ose hyrje që të ndihmonin lexuesin tonë të orientohej drejt në problemet që trajtohen në to dhe në qëndrimin që kanë marrë autorët e këtyre veprave.
Siç dihet, këto vepra me gjithë brendinë, idetë pozitive, nuk janë të zhveshura nga të meta e dobësi, të cilat burojnë nga botëkuptimi i autorëve. Del nevoja që në të ardhmen botimet e autorëve kosovarë të shoqërohen me parathënie të mira, të cilat duhet të jenë një analizë serioze shkencore e anëve të tyre pozitive dhe e kufizimeve ideore që mund të kenë. Hartimi i parathënieve për botimet e autorëve kosovarë bëhet akoma më i ngutshëm po të kemi parasysh se në shtypin tonë letrar për këto vepra nuk shkruhen artikuj, ku t’u bëhet një analizë e thellë dhe e argumentuar shkencore.
Ne mendojmë se njohja dhe studimi i letërsisë kosovare ka rëndësi edhe nga pikëpamja e rolit që duhet të luajë kritika dhe opinioni ynë letrar në zhvillimin e letërsisë kosovare. Studiuesit tanë duhet jo vetëm të informojnë lexuesin tonë mbi vlerat dhe arritjet e autorëve kosovarë, por, çka ka rëndësi të madhe politike dhe ideologjike, duhet të ndikojnë në zhvillimin e kësaj letërsie, duke u treguar autorëve kosovarë se ku qëndron në veprat e tyre elementi i shëndoshë pozitiv dhe duke i ndihmuar që të kapërcejnë dobësitë dhe ndikimet negative, që veprojnë mbi ta.
Problemi i përfshirjes së historisë së letërsisë kosovare si aneks në fund të historisë së letërsisë së sotme shqiptare dhe në përgjithësi njohja e kësaj letërsie lidhet me disa vështirësi.
1) Mungesa e studimeve shkencore mbi historinë e letërsisë kosovare.
Deri më sot veprimtaria krijuese e autorëve kosovarë është ndjekur në mënyrë të pjesshme dhe jo gjithnjë sistematike nga punonjës të veçantë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të cilëve përveç detyrave themelore që kanë pasur në fushën e studimit të letërsisë sonë, u është ngarkuar detyra të ndjekin edhe zhvillimin e letërsisë shqiptare në Kosovë dhe në përgjithësi jetën e atjeshme letrare. Kjo punë ka qenë e pamjaftueshme për të siguruar një njohje të plotë dhe të thellë të procesit letrar në Kosovë, të përfaqësuesve më të shquar të letërsisë kosovare, të proceseve dhe të tendencave që po zhvillohen në të. Sigurisht, në hartimin e kapitullimit mbi historinë e letërsisë kosovare do të shfrytëzohen studimet dhe kritikat letrare të vetë kosovarëve.
Kjo shtron nevojën që te ne të organizohet sa më parë puna për studimin sistematik, të thelluar dhe të gjithanshëm të historisë së letërsisë kosovare që nga fillimet e deri në ditët tona. Për këtë qëllim mendohet që pranë Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë të ngrihet një grup prej 2-3 vetash.
2) Karakteri kompleks dhe kontradiktor i letërsisë kosovare. Dihet se në një pjesë të konsiderueshme letërsia e sotme kosovare, si pjesë e superstrukturës së atjeshme është nën ndikimin e pikëpamjeve ideologjike dhe estetike që sundojnë sot në Jugosllavi e për pasojë ajo nuk ka asgjë të përbashkët me realizmin socialist. Ka autorë kosovarë që janë nën ndikimin e letërsisë dekadente borgjeze. Veprat e tyre i përshkon koncepti i absurditetit të jetës dhe mungesa e perspektivës historike, skepticizmi për thelbin moral të njeriut, i cili përfytyrohet si një qenie e vetmuar që e ndjen veten të humbur e të paaftë në vorbullën e fuqive të errëta të botës moderne. Heronjtë e këtyre veprave, simbol i një farë dobësie dhe pavetëdije të plotë, nuk dinë ç’kërkojnë në jetë, nuk kanë ideale të vërteta dhe veprojnë në situata krejt konvencionale e të papërcaktuara në kohë dhe në hapësirë.
Por në letërsinë kosovare ka edhe autorë që rrahin në veprat e tyre problemet shoqërore të popullsisë shqiptare në Jugosllavi si problemin e prapambetjes së viseve ku banojnë kosovarët, problemin e emancipimit të femrës, të luftës kundër zakoneve dhe traditave prapanike, si të marrjes së gjakut etj.
Ne mendojmë se në aneks nuk duhet të tregohen veprat me brendi negative, të shkruara nën ndikimin e ideve dhe teorive dekadente që janë sot në modë në Evropë dhe në Jugosllavi dhe as veprat që e pasqyrojnë dhe e vlerësojnë këtë nga pozitat ideologjike të regjimit sundues revizionist. Nga prodhimi letrar i sotëm i Kosovës do të bëhen objekt analize të plotë ato vepra, në të cilat kanë gjetur pasqyrim disa aspekte të rëndësishme të jetës së sotme të vëllezërve kosovarë dhe në të cilat problemet shoqërore të atjeshme i trajtojnë nga pozita ideore demokratike, me gjithë kufizimet e mundshme dhe të kuptueshme që mund të kenë autorët e këtyre veprave.
Kjo zgjidhje është e drejtë nga pikëpamja parimore, por ka një pikë të dobët, sepse lë jashtë një varg veprash, të cilat kanë gjetur jehonë pozitive në opinionin publik letrar të atjeshëm. Lënia jashtë e këtyre veprave mund të interpretohet nga rrethet e intelektualëve kosovarë si qëndrim tendencioz, subjektivist dhe i njëanshëm. Ka shumë të ngjarë, që ata të ngrenë problemin se kuadri i letërsisë kosovare dhënë prej nesh nuk është objektiv dhe nuk përfshin ato vepra që atje konsiderohen si realizime të shquara. Siç dihet, në shtypin letrar të Kosovës sot ngrihen lart si “novatorë” dhe “modernë” disa autorë që ecin në gjurmët e letërsisë moderniste dhe trajtojnë në veprat e tyre motive karakteristike për këtë letërsi.
Për të evituar çdo keqkuptim, ne mendojmë që në panoramën e përgjithshme të aneksit të flitet edhe për këta autorë kosovarë, duke i bërë krijimtarisë së tyre një karakterizim të saktë dhe të argumentuar shkencërisht, por shkurt dhe në plan kritik. /Shqiptarja/