Marrëveshja e pashkruar për të mbrojtur murin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri, duket se po lëkundet. Shtohet presioni dhe trysnia mbi organin e akuzës, për të çuar në gjykatë peshqit e mëdhenj të korrupsionit
Teksa në rrethet politike, mediatike dhe në tavolinat e zakonshme flitet për një pakt të pashkruar mes kampeve politike, për të amnistuar dhe mbrojtur njëri-tjetrin nga drejtësia, ministri i Drejtësisë ka përsëritur dje thirrjen ndaj prokurorëve, për të çuar në gjykatë dosjet e ministrave të korruptuar.
Për herë të dytë në pak javë, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili përfaqëson Lëvizjen Socialiste për Integrim, u ka bërë dje apel prokurorëve që të avancojnë me hetimin e dosjeve të korrupsionit të zyrtarëve të lartë.
Ministri i Drejtësisë vendosi ta qetësonte mesazhin, teksa tha se dosjet e ministrave duhet të shkojnë në gjykatë. Po kush janë ministrat me dosje në prokuroi? Ata janë ministri i Energjetikës, Damjan Gjiknuri dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja.
Sigurisht që kambana bie mbi dy ministrat në fjalë. Duket se nuk bëhet fjalë thjeshtë për një luftë të ftohtë mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste, por për një frymë të përgjithshme në kampin e pushtetit, për të çuar ndonjë ministër para togave të zeza.
Vetëm disa ditë më parë, një deputet socialist, tha se, çdo ministër i mazhorancës, nëse është përfshirë në afera korruptive, duhet të shkojë në burg. Ndërkaq, ministri i Drejtësisë e ka artikuluar mesazhin e tij, gjatë një takimi me prokurorët.
“Na duhet një prokuror aktiv që të jetë i zoti në çështjen hetimore dhe çështjen penale që në fazën e hetimit dhe jo të hymë në piramidën e sekretarit të prokurorit, sekretarit të policit gjyqësor, polici gjyqësor tek shefi…Dhe, ndërkohë ka dalë dosja në gazetë.
Dosja hetimore është më sekret në gazetë sesa në prokurori dhe kjo është e papranueshme. Është faji i sistemit që kemi zgjedhur, i sistemit hibrid që në një shoqëri si e jona nuk funksionon.
Ky është momenti që ne duhet të diskutojmë të gjithë bashkarisht edhe në kuadër të reformës dhe të zbatimit të ligjit. Ftesa ime për shërbimin e prokurorisë ka qënë dhe mbetet e qartë.
Zbardhini dosjen dhe bashkë me të dhëmbët çdo zyrtari që abuzon! Po, patjetër, ministër apo çfarëdo qoftë ai ose ajo! Ju lutem që brenda sistemit që është, jepini përgjigje proporcionale krimit, si në zyrën e shtetit dhe në rrugë. Krimi në rrugë dhe krimi në zyrën e shtetit duhet të ndëshkohet, nga unë i pari që po flas”, theksoi z. Manjani
Mbështetja për prokurorët
Gjatë fjalës së tij në nisjen e këtij takimi, z. Manjani garantoi mbështetjen për të gjithë prokurorët që kryejnë detyrën me përgjegjësi ligjore, ndërsa shprehu besimin se në kushtet aktuale të reformimit të thellë të të gjithë sistemit të drejtësisë, është me rëndësi gjetja e gjuhës së mirëkuptimit dhe arritja e vendimeve të pjekura.
“Ju përditë firmosni dhe vulosni urdhër arreste dhe jeni ditë për ditë në përballje me elementët kriminal. Nuk kam ndërmend të hyjë në retorikën publike, por përsa kohë që kryeni detyrën kam shprehur dhe shpreh dhe sot para jush të gjithë mbështetjen e nevojshme për të gjithë prokurorët që kryejnë detyrën me përgjegjësi ligjore.