Shkruan: Azem OSMANI
E vështroj prej së largu rrugën kryesore të shehrit e mbushur si kalavesh rrushi. Nuk ishte rrush, edhe pse prodhonte ndjesi t’ëmbla, por ishte rinia jonë, ardhmënia e Kosovës. Futem në Qendrën e Kulturës, plot gjallëri artistësh të rinj, ca pikturonin në atelie e ca të tjerë aty afër ushtronin vallëzimin.
E kishim lënë me një mik timin të dalim për kafe. E mora dhe hymë në njërën nga kafeteritë e çarshisë. Çka me pa! Vezullima flokësh, biseda me plot e përplot ngjyrime humori, kope buzëqeshjesh e n’sfond zhurmonte një melodi që i rrinte tamam atmosferës. Thash me vete! Edhe pse ne në rini nuk e kishim këtë përjetim, ndihem i lumtun që t’paktën këta e kanë. Këtë tog fjalësh ia përcolla një të riu të cilin e kisha afër.
-Eh, jemi ba aktorë t’mirë, ndoshta kafet makiato “na trajnuan”, po bëhemi sikur parajsën e kemi jashtë këtyre dyerve, e n’fakt, gjendja ekzistuese politike dhe sociale është si mos më keq, na e kanë vra ardhmëninë k’ta far përbindëshash qe gjashtëmbëdhjetë vite, u shpreh me mllef i riu të cilit si vetëtimë i humbi disponimi. Vrullshëm, me mimika, ja miratuan mendimin shokët e tij të tavolinës.
Sipas statistikave të fundit, mosha mesatare e popullsisë së Kosovës është 29.5 vjeçare. Viteve të mëhershme ky indeks ka qenë edhe më i ulët. Kjo tregon se në Kosovë pasuria më e madhe njerëzore është rinia.
Për fatin e keq, konjuktura politike ekzistuese ka shënjuar gjithmonë rininë për ta manipuluar në grabitjen e votës së tyre. Ata, sakaq edhe i instrumentalizuan nëpërmes të forumeve rinore, të cilat veprojnë tek shumica e partive politike.
Rinia jonë gjatë gjithë këtyne viteve të pasluftës e mori “hiletin” nga seniorët e mbrapsht politik të cilët vendin e kanë sjellë në një gjendje të pashpresë. Mënyra tjetër e grabitjes së votës së tyre ka ndodhur nëpërmes të imponimit nga ana e kryefamiljarëve, e sidomos të atyne që i quajmë militantë.
“Hajt bre djemtë e mi e çikat e mia, ngone babushin, edhe qisaj here duhet patjetër me gjue voten qaty ku e kena gjue gjithë. Nashta po do Zoti e po muushen men. Edhe jo për tjeter, veç për rahmetlinë Rugoven, se tybee, s’jau kish kërkue dhami “
“Une pe shoh bre bablok q’i met i kanë lanë, krejt po vjedhin, po gazitin, e rjepen kit Kosovë, veç po duhet me menue për nej ven t’punës. Heren tjetër na rrejtën, po qisaj here osht e sigurt, sagllamë. Edhe, kanë luftue kta, s’um punon dora me ja dhanë tjetër kuj, e ju duhet me votue qaty ku ju thom une”
Kështu përafërsisht u janë drejtuar kryefamiljarët patriarkal fëmijëve të tyre.
Rinia e pasluftës është rritur në rrethana më të favorshme për të kuptuar dhe gjykuar më drejtë se kujt duhet t’ia japin besimin për të na qeverisur. Ata janë tepër mirë të informuar falë zhvillimit të teknologjisë informative dhe të sistemit të avancuar të televizionit kabllorë.
Rinia jonë e arsimuar është shumë më e integruar në proceset bashkëkohore dhe demokratike të botës perëndimore. Qasja e tyre ndaj proceseve politike është shumë më racionale dhe gjykuese. Ata qëndrojnë larg kulteve lideriste dhe ideologjike. Thjeshtë, kërkojnë dhe u besojnë koncepteve të reja, bindëse dhe praktike për t’i avancuar proceset në rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Rinia nuk guxon të bie pre e presioneve dhe imponimeve politike as nga partitë dhe as nga kryefamiljarët. Situata momentale nuk është aspak e favorshme për ta. Këtë e bazoj nga një hulumtim shkencor që e kam bërë para pak viteve në rajonin e Podujevës, ku lideri lokal i opinionit (individët me ndikim: babai, nëna, i afërmi, miku, kolegu…) ka ndikim në masën prej 55 % në formimin e bindjes për një problem të caktuar shoqëror në raport me mediat. Gjendja duhet të jetë përafërsisht e njëjtë në tërë Kosovën, bazuar në rrethanat ekzistuese dhe perceptimet që i nuhasim çdo ditë.
Kjo situatë jo e favorshme duhet ta nxis rininë e Kosovës të mos pranoj imponimin e askujt. Të rinjtë tanë duhet të vendosin vet me këmbëngulësi se kujt dëshirojnë t’ia japin besimin.
Rini, lufto për pavarësimin e përcaktimit tënd politik! Ju jeni ardhmënia e Kosovës!
Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.