Kometa me përmasa gjigante mund të paraqesin rrezik për jetën në planetin Tokë, duke u nisur nga asteroidet më të afërt, që tashmë po monitorohen me shumë kujdes, paralajmëroi të martën një ekip astronomësh.
“Gjatë dy dekadave të fundit, qindra kometa gjigante u zbuluan në kufijtë e sistemit tonë diellor”, thanë shkencëtarët në një studim të publikuar në “Astronomy and Geophysics”.
Të quajtura “Centaurs”, këto kometa janë pozicionuar mbi orbita të paqëndrueshme, që kryqëzohen ndonjëherë në rrugën e planeteve gjigante, Jupiteri, Saturni, Urani dhe Neptuni.
Nën efektin e fushës e gravitetit të këtyre planeteve, këto kometa mund që kohë pas kohe të ndryshojnë trajektoren dhe të gjenden në sistemin e brendshëm diellor (që përfshin Mërkurin, Venusin, Tokën, Marsin dhe Rripin e Asteroideve).