“Isha 18 vjeç kur u verbova”. Rrëfimi i një burri të plotësuar dhe një babai të përkushtuar
“Nëse të tjerët mundohen 100% unë duhet të mundohem 120%, përndryshe nuk do t’ia dal”. Ky ishte dhe mbetet lajtmotivi i jetës së tij. Nuk u lodh kurrë. Nuk u dorëzua asnjëherë. Nuk rreshti së lexuari e mësuari. Nuk harroi t’i kujtonte vetes çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, për 17 vite me radhë se nëse nuk do të investonte për veten e tij do të harrohej shpejt… Kujtimi lexon edhe pse nuk shikon. Kujtimi shkruan edhe pse nuk sheh. Kujtimi ka kryer shkollën e lartë edhe pse është i verbër.
Kujtimi ka një punë edhe pse nuk shikon. Kujtimi ka një grua që nuk ka asnjë aftësi të kufizuar edhe pse vetë nuk shikon. Kujtimi ka një djalë që për fat shikon edhe pse i ati e sheh vetëm në imagjinatën e tij. Ai nuk sheh, sepse lindi me shikim të reduktuar për shkak të retinës së zgjeruar, por kjo nuk e pengoi që ta trajtonte veten njësoj si të tjerët. 35-vjeçari thotë se bisedoi gjatë me veten ditën kur kuptoi se ai nuk mund t’i lexonte më pyetjet e provimit, që do t’i mohonin atij një mundësi të madhe, të drejtën për të ndjekur studimet e larta, më vonë të drejtën për t’u punësuar.
“Mes dilemës për t’i pranuar vetes aftësinë time të kufizuar dhe për t’u ndarë nga gjithçka vetëm e vetëm pse nuk shikoja dhe përpjekjes për të ndryshuar jetën time pavarësisht se jam i verbër zgjodha të shfrytëzoj çdo mundësi për të gjetur rrugën e shpresës, të shpëtimit tim, atë që do të më jepte një shkollë nëse do të mësoja, atë që do të më njihte me miq e shokë, atë që do më jepte një profesion, që më vonë do të përkthehej në një vend pune, që do të më siguronte para për veten dhe familjen që ëndërroja të krijoja në të ardhmen. Ishte zgjedhje e vështirë, por me shumë dëshirë, vullnet dhe me mbështetjen e madhe të familjes ia dola”, tregon Kujtim Hysesani.
Ai ka lindur dhe është rritur në Përmet, ndërsa në vitin 1999 u transferua në Tiranë bashkë me familjen tij, ku ndoqi dy vitet e fundit të shkollës së mesme. Në atë kohë Kujtimi thotë se shikonte, ndonëse në një përqindje të vogël, por që gjithsesi i kishte shërbyer për të mësuar të lexonte dhe të shkruante, të paktën deri në moshën 18-vjeçare, kur u verbua përfundimisht.
“Kjo ishte përballja më e vështirë. Të pranoja që nuk shikoja dhe që nuk do të shikoj më asnjëherë. Ndërsa prindërit e mi ishin tronditur më herët, kur isha 7 vjeç, moshë kur mësuan se shikoja pjesërisht, ndërsa mjekët okulistë u kishin treguar se me kalimin e viteve shikimi do të zbehej deri në verbëri.
Me të përfunduar shkollën e mesme, edhe pse nuk shikoja dëshiroja të ndiqja studimet e larta. Ishte më e fortë se unë dëshira dhe vullneti për t’u integruar. Nuk doja që rrugëtimi që kisha nisur të mbetej përgjysmë. Kështu aplikova për të ndjekur studimet e larta në Universitetin e Tiranës, për Fizioterapi. Por për t’u shpallur fitues duhet të jepja provim me shkrim, që unë për fat të keq nuk e bëja dot, sepse nuk lexoja dot pyetjet.
I kërkova departamentit të më vinin në dispozicion dikë që të më lexonte pyetjet, por nuk ma mundësuan kështu që mbeta pa shkollë. Tentova sërish për disa vite me radhë, por prapë askush nuk pranoi të m’i lexonte pyetjet pasi sipas departamentit nuk lejohej.
Në vitin 2008 mësova që duhet të bëja kërkesë zyrtare në Ministrinë e Arsimit që të më vinin në dispozicion një mësues që do të më lexonte pyetjet dhe pikërisht atë vit pasi kërkesa ime u realizua unë u shpalla fitues në degën e Fizioterapisë. Pas shumë vitesh u lumturova. Me plot gojën ia dola, vetëm këtë mendoja”, rrëfen 35-vjeçari krenar për gjithçka ka arritur më shumë mund. Megjithatë, gëzimi i madh i fillimit më vonë do ta përballte me të tjera vështirësi.
Ai nuk e kishte mësuar ndonjëherë alfabetin brail, për këtë arsye nuk do të dinte të mësonte nëpërmjet tij, pasi siç thotë Kujtimi kishte të bënte me ndjeshmërinë dhe duhej mësuar herët.
Kështu me familjarë e të njohur u anëtarësua në Shoqatën e të Verbërve, ku mësoi se për të përdorur celularin duhet të instalonte programin TALK, ndërsa për të përdorur kompjuterin programin JAWS, që do ta ndihmonte të mësonte nëpërmjet dëgjimit shpjegimin e leksioneve apo të librave të tjerë jashtëshkollorë.
“E regjistroja leksionin që shpjegonin pedagogët dhe shkoja për ta dëgjuar në studion e Shoqatës së të Verbërve, kështu mësoja. Germat e celularit i di përmendësh. E di që te numri 2 ndodhen germat: a, b, c; te numri 3 d, e, f. Studimet e ciklit të parë i kam mbaruar shkëlqyeshëm, me mesatare 9.6, ku përveç diplomës mora edhe certifikatë si student i dalluar, 1 nga tre studentët më të mirë të atij viti, ndërsa masterin e mbarova me mesatare 9, sepse në atë kohë nisa të punoj dhe rashë pak nga mësimet”, shprehet Kujtimi. Ai nuk është si të tjerët, por kjo jo për shkak të aftësisë së tij të kufizuar, por për shkak të vullnetit të jashtëzakonshëm që e karakterizon. Ai nuk u ndal dhe pohon se nuk do të ndalet asnjëherë.
Pasi u diplomua në master trokiti në shumë zyra shteti e privati, ku u ndesh me paragjykime nga më të ndryshmet. Por ndodhi që 4 vite më parë ai të punësohej si fizioterapist në qendrën sociale multidisiplinare për të moshuarit dhe fëmijët me probleme mendore, qendër në varësi të Bashkisë së Tiranës.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar për punën që bëj. Kush lufton me veten dhe për veten ia del. Unë ia dola, edhe ju mund t’ia dilni! I kujtoj vetes që s’duhet të bëj kurrë keq apo gabime në punën time ndërsa për më të mirën mundohem në maksimum. Të moshuarit vijnë tek unë për shkak se vuajnë nga probleme kardiovaskulare, hipertension ose nga probleme reumatizmale. Unë ofroj seanca fizioterapie, këshillim të përgjithshëm shëndetësor, matje dhe këshilla për tensionin arterial.
Jam shumë i lumtur me punën që bëj, sepse u shërbej njerëzve në nevojë”, rrëfen gjithë gëzim Kujtimi, i cili sot përveçse një burrë i realizuar është bashkëshort dhe baba i një vogëlushi 2 vjeç e gjysmë, për të cilin thotë se është bekimi më i madh i jetës së tij.
Kujtimi është vetëm një nga rreth 5% e personave me aftësi të kufizuara që punojnë në vendin tonë, një shembull suksesi që do t’i shërbente si model frymëzimi të gjithë personave me aftësi ndryshe për të kuptuar se nëse nuk humbin shpresën mund të jetojnë njësoj si të tjerët. Promovimi i Kujtimit, që nuk shikon prej 17 vitesh vjen në kuadër të nismës “Një vizion për punësim” të Qendrës Kombëtare të të Verbërve.